Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut - Raport për seancën e tij të 17-të

Komunikatë për shtyp
Numër                         05-2013
Data                            09.09.2013
Personi kontaktues     John J. Ryan

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 17-të në Prishtinë nga data 29 deri më 30 gusht 2013.

Paneli ka vendosur njëzëri se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e EULEX-it Kosovë edhe në dy raste të tjera lidhur me incidentet të cilat kanë ndodhur në Vidovdan më 28 qershor 2012.

Ankuesit të cilët ishin pjesëmarrës në festimet e Vidovdanit kanë pohuar se ishin ndaluar nga policia e Kosovës në vendkalimin kufitar Merdare. Policia e Kosovës kishte konfiskuar gjësendet e tyre, ku përfshihen bluzat që mbanin emblema serbe dhe flamujt serb, dhe pretendohet se kishin kërcënuar ankuesit. Paneli ka konstatuar se EULEX-i kishte caktuar burime të pamjaftueshme për të siguruar se autoritetet kosovare dhe palët e treta respektojnë të drejtat e njeriut  gjatë operacionit të sigurisë në Vidovdan. Më tej, Paneli ka theksuar se EULEX-i nuk ka ofruar trajnim të duhur dhe udhëzime operative të mjaftueshme për stafin e tij të dislokuar. Prandaj, ankuesit nuk kanë mundur të gëzojnë të drejtat e tyre të respektimit të jetës private (garantuar me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNj) dhe nenin 17 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (KEDCP), lirinë e tyre për tubim (neni 11 KEDNj; neni 21 dhe 22 KEDCP) si dhe të drejtën e tyre për të ushtruar religjionin e tyre (neni 9 KEDNj dhe neni 18 KEDCP)).

Paneli ka paraqitur një numër rekomandimesh tek shefi i Misionit i EULEX-it për masa korrigjuese në vendimet e marra.

Paneli ka shpallur edhe tri raste të papranueshme. Dy prej tyre lidhen me pretendimin për keqtrajtim në burg. I treti lidhet me dyshimin për paraburgim të paligjshëm. Paneli ka konstatuar se ankesat nuk ka hyrë në kuadër të mandatit të tij sa i përket të gjitha prej këtyre tre lëndëve.

Të gjitha vendimet do të publikohen në faqen e internetit të Panelit pasi të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe.

Seanca e ardhshme e Panelit është caktuar të mbahet më 11 - 13 nëntor 2013. Tani për tani janë 26 lëndë të papërfunduara pranë Panelit, katër prej të cilave u janë komunikuar palëve, dy janë shpallur e të pranueshme, ndërsa 20 janë duke u shqyrtuar.

Për informata të mëtejshme lidhur me Panelin dhe praktikat e tij gjyqësore shih faqen e internetin www.hrrp.eu.

Shënim për redaktorin,
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut  (PSHDNJ) për  EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. PSHDNJ nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompenzimin me të holla. PSHDNJ i ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe me integritet.