Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut - Raport për seancën e tij të katërmbëdhjetë

Komunikatë për shtyp
Numër                         01-2013
Data                            21.01.2013
Personi kontaktues     John J. Ryan

Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut - Raport për seancën e tij të katërmbëdhjetë

Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut (Paneli) mbajti në Prishtinë seancën e tij të rregullt të katërmbëdhjetën me radhë prej datës 14 deri më 16 janar 2013. Në fillimi të seancës u konstatua që para panelit ishin 21 ankesa të pazgjidhura, katër nga të cilat ishin gati për t’u shqyrtuar nga Paneli.

Paneli vendosi njëzëri që dy prej ankesave ishin të papranueshme. Më tej, Paneli për herë të pari vendosi  që një rast të rishqyrtohet.  Pasi që ishte marrë vendimi i parë për papranueshmëri, parashtruesi i ankesës i dorëzoi tri dokumente shtesë. Këto dokumente fillimisht i ishin dërguar Panelit por nuk kishin arritur për arsye teknike për të cilat parashtruesi i ankesës nuk kishte faj.

Për rrjedhojë, pasi që i mori ato dokumente, Paneli vendosi ta rishqyrtojë pranueshmërinë e ankesës sipas Rregullës 42 të Rregullores së vet të Punës. Paneli konstatoi njëzëri që dokumentet përkatëse nuk ndikojnë thelbësisht në  vendimin e tij për ta shpallur ankesën të papranueshme.

Për vendimet e Panelit do të njoftohen parashtruesit e ankesave si edhe Shefi i Misionit EULEX (SHM). Vendimet po ashtu do të publikohen me kohë në faqen e internetit të Panelit sapo të përkthehen në gjuhën shqipe dhe në atë serbe.

Për më tepër, Paneli vendosi që një rast është i gatshëm  për t’iu komunikuar SHM për informata dhe vërejtje të mëtejshme. 

Seanca e ardhshme e Panelit është caktuar të mbahet prej datës 8 prill deri më 11 prill 2013 në Prishtinë.

Për informata të mëtejshme lidhur me Panelin dhe praktikat e tij gjyqësore shih faqen e internetin www.hrrp.eu.

Shënim për redaktorin,
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut  (PSHDNJ) për  EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. PSHDNJ nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompenzimin me të holla. PSHDNJ i ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe me integritet.