Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut - Raport për seancën

Komunikatë për shtyp
Numër                         05-2014
Data                            12.12.2014
Personi kontaktues     Joanna Marszalik

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 23të në Prishtinë nga data 10 deri më 12 nëntor 2014.

Paneli ka lëshuar në vendim pasues në lëndën Zahiti kundër EULEX-it (në të cilën ankuesja ka deklaruar se ishte sulmuar dhe lënduar nga një zyrtar i policisë së EULEX-it dhe si rezultat nuk ka qenë në gjendje të punonte për disa muaj). Paneli ka konstatuar se shefi i Misionit të EULEX-it i kishte zbatuar rekomandimet e tij vetëm pjesërisht. Paneli ka ftuar shefin e Misionit të rishikojë zbatimin e rekomandimeve të tij të mbetura.

Në lëndën Beciç kundër EULEX-it Paneli ka konstatuar se EULEX-i Kosovë ka shkelur të drejtën e ankuesit për mjetin efektiv ankimi të garantuar me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Paneli po ashtu ka bërë edhe rekomandime për shefin e Misionit për masa korrigjuese.

Pesë lëndë të tjera janë gjetur të papranueshme. Tre prej tyre kishin të bënin me procedurat pranë gjykatave të Kosovës. Si në shumë lëndë të mëparshme të ngjashme, Paneli ka deklaruar se nuk ka juridiksion t’i shqyrtoj procedurat gjyqësore të gjykatave të Kosovës, edhe nëse gjykatësit e EULEX-it ulen në trupin gjykues të gjykatave të Kosovës. Në një lëndë Paneli ka konstatuar se nuk ishte treguar se EULEX-i ka qenë i përfshirë në ndonjë cilësi në çështjet për të cilat ka pasur ankesë. Në një lëndë tjetër Paneli ka konstatuar se nuk kishte juridiksion mbi ankesën, pasi ajo ishte parashtruar nga një punonjës i EULEX-it. Një tjetër ankesë ishte hequr nga lista e ankesave.

Paneli ka komunikuar dy lëndë tek shefi i Misionit të EULEX-it, duke i kërkuar atij që të ofroj vërejtjet e tij mbi pranueshmërinë dhe bazueshmërinë e atyre lëndëve. Një prej tyre është parashtruar nga një i afërm i një personi të zhdukur që nga viti 1999. Ankuesi pohon se EULEX-i nuk ka arritur të kryejë hetim efektiv rreth zhdukjes së të afërmit të tij. Lënda tjetër ka të bëjë me një hetim të kryer nga një prokuror i EULEX-it.

Në dy lëndë, ankuesit kanë kërkuan të bëhej rishqyrtimi i ankesave të tyre. Paneli ka konkluduar se nuk kishte bazë për të bërë rishqyrtimin, pasi që ankuesit nuk kishin arritur të tregonin ndonjë dëshmi të re.

Të gjitha vendimet do të publikohen në faqen e internetit të Panelit, pasi të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe.

Seanca e ardhshme e Panelit është planifikuar të mbahet në pjesën e dytë të janarit 2015.

Tani për tani në Panel janë 43 lëndë të pazgjidhura. 25 prej të tyre u janë komunikuar palëve për vërejtjet rreth pranueshmërisë dhe bazueshmërisë së tyre; 2 prej tyre janë shpallur të pranueshme. Lëndët e tjera janë në shqyrtim e sipër.

Për më shumë informata rreth Panelit, ju lutemi vizitoni www.hrrp.eu.

Shënim për redaktorin,
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut  (PSHDNJ) për  EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. PSHDNJ nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompenzimin me të holla. PSHDNJ i ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe me integritet.