Komunikatë për shtyp
Numër: 05-2012
Datë: 15.11.2012
Kontakti: John J Ryan
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut – Raport lidhur me Seancën e 13-të
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (PShDNj) ka mbajtur seancën e 13të të rregullt në Beograd nga data 14 deri më 16 nëntor 2012. Është konstatuar se para fillimit të seancës pranë Panelit ka pasur 19 ankesa në pritje, gjashtë prej të cilave ishin të gatshme për tu shqyrtuar nga Paneli.
Paneli ka vendosur njëzëri se njëra prej ankesave ishte e papranueshme. Vendimi i Panelit do t’iu dërgohet parashtruesit të ankesës si dhe shefit të EULEX-it (ShM). Gjithashtu pasi të përkthehet në gjuhën shqipe dhe serbe ajo do të publikohet në kohën e duhur në faqen e internetit të Panelit. Për më tepër, Paneli ka vendosur që pesë lëndët të bëhen gati për t’iu komunikuar ShM për informata shtesë dhe për vërejtje.
Përpos kësaj, Paneli ka vazhduar fushatën e vet informuese tek përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë dhe shoqërisë civile në Beograd e Nish. Paneli ka pasur takim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën për Kosovë dhe Metohi në Beograd. Përfaqësuesit janë njoftuar rreth mandatit dhe veprimtarisë së Panelit, ku pastaj Paneli iu është përgjigjur shumë pyetjeve rreth punës dhe jurisprudencës së tij dhe është njoftuar rreth gjendjes së tanishme lidhur me disa çështje që lidhen me Kosovën. Përfaqësuesit e të dyja zyrave kanë emëruar persona ndërlidhës në mënyrë që të lehtësohet në të ardhmen bashkëpunimi me Panelin.
Përveç të tjerash, Paneli është takuar në Beograd me përfaqësuesit e disa OJQ-ve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë Këshillin danez për Refugjatë, UNHCR, Grupin 484, Qendrën e Ballkanit për Migracion, Qendrën Regjionale për Pakica, Qendrën e së Drejtës Humanitare dhe YUCOM. Paneli gjithashtu ka diskutuar me Shoqatën në Nish për persona të zhdukur dhe të rrëmbyer si dhe me përfaqësuesit nga Rrjeti i Komisionit për të drejtat e njeriut në Serbi (CHRIS).
Është caktuar që seanca e ardhshme e Panelit të mbahet nga 14 deri më 16 janar 2012 në Prishtinë.
Për më shumë informata rreth Panelit dhe jurisprudencës së tij vizitoni
www.hrrp.eu.
Shënim për redaktorin,
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (PSHDNJ) për EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. PSHDNJ nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompenzimin me të holla. PSHDNJ i ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe me integritet.