Komunikatë për shtyp - Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

Komunikatë për shtyp
Numër 01-2022
Data: 2 shtator 2022

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 54-të me datën 5-7 korrik 2022 në PShDNj, ndërsa ka vazhduar mbajtjen e seancës më 18 gusht 2022 ,mjeteve elektronike.

Gjatë seancës, Paneli ka shqyrtuar katër (4) lëndë:

1. Lënda nr. 2011-20 X. dhe 115 të tjerë kundër EULEX-it. Më 18 gusht 2022, Paneli ka marrë vendimin e pestë për zbatimin e rekomandimeve të Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut. Në vendimin e tij, Paneli ka theksuar se ankuesve ende nuk iu është siguruar ndonjë mjet dhe kompensim adekuat për shkeljen e të drejtave të tyre, dhe ka përsëritur ftesën drejtuar EULEX-it për të kryer një shqyrtim të plotë të mjeteve në dispozicion të Misionit për të korrigjuar shkeljen e të drejtave të ankuesve në mënyrë efektive dhe t’i raportojë Panelit për masat që ai propozon të merr për ta realizuar këtë.

2.Lënda nr. 2016-29 Slađana Savić kundër EULEX-it. Më 18 gusht 2022, Paneli ka marrë vendimin mbi pranueshmëri dhe merita. Në këtë vendim, Paneli ka përcaktuar se EULEX-i nuk kishte kryer hetim efektiv për zhdukjen e anëtarit të ngushtë të familjes së ankueses dhe nuk e kishte mbajtur të informuar ankuesen. Si rezultat, Paneli ka përcaktuar se Misioni ishte përgjegjës për një shkelje sipas pjesës procedurale të së drejtës së ankuesit për jetë, siç garantohet me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për shkelje të së drejtës së ankuesit për të mos iu nënshtruar trajtimit çnjerëzor ose poshtërues, siç garantohet me nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Paneli i bëri disa rekomandime shefit të Misionit të EULEX-it, duke përfshirë që ai të pyesë autoritetet se çfarë hapash janë duke u ndërmarrë për të hetuar këtë rast, dhe për t’iu theksuar autoriteteve rëndësinë e të drejtave të viktimës për të vërtetën dhe për t’u informuar për rrjedhën e përgjithshme të hetimit. Paneli gjithashtu ka ftuar shefin e Misionit që të kontaktojë ankuesen me qëllim të gjetjes së një mjeti juridik për shkeljen e të drejtave të saj. Zbatimi i këtyre rekomandimeve nga Misioni është ende në pritje.

3.Lënda nr. 2018-01 Y.B.2 kundër EULEX-it. Më 6 korrik 2022, Paneli ka marrë vendim për zbatimin e rekomandimeve të Panelit. Në këtë vendim, Paneli ka theksuar se shefi i Misionit të EULEX-it kishte refuzuar të lëshonte një deklaratë publike për të pranuar shkeljen e të drejtave të ankuesit. Paneli shprehu keqardhje për mos zbatimin e rekomandimit të Panelit, por vendosi që nuk do të ishte frytdhënëse të përsëritej rekomandimi. Paneli vendosi të mbyllë shqyrtimin e rastit.

4.Lënda nr. 2019-02 Driton Hajdari dhe Teuta Bici-Hajdari kundër EULEX-it. Më 7 korrik 2022, Paneli e shpalli këtë lëndë të papranueshme, pasi ishte jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Panelit.

Vendimet e Panelit, rregullorja e punës dhe raportet vjetore janë publikuar në faqen e internetit të Panelit në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe, në www.hrrp.eu.

 Shënime për redaktorin:

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) për EULEX-in Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat nga secili person që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. Paneli nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje ose jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompensim me të holla. Paneli është i pavarur gjatë kryerjes së funksioneve të tij, të cilat i kryen me paanësi dhe integritet