Paraqitja e ankesave

Si mund të paraqesë ankesë?

Çdo person, përveç personelit të Misionit EULEX në Kosovë, i cili ankohet se ka qenë viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e Misionit EULEX në Kosovë gjatë zbatimit të mandatit ekzekutiv të tij ka të drejtë të paraqesë ankesë.
Ankesa duhet të dorëzohet në PSHDNJ brenda gjashtë muajve nga data e ndodhjes së shkeljeve të pohuara të drejtave të njeriut. Roli i PSHDNJ është i lidhur me kohëzgjatjen e mandatit ekzekutiv të Misionit EULEX në Kosovë. PSHDNJ mund të veprojë për një periudhë shtesë të kufizuar pas përmbushjes së mandatit ekzekutiv të Misionit EULEX në Kosovë.

Procedura me Panelin

Shqyrtimet nga ana e PSHDNJ do të bazohen në informatat e paraqitura me shkrim tek Paneli. Nëse PSHDNJ konsideron se ankesa nuk mund të shqyrtohet vetëm në bazë të informatave të paraqitura me shkrim, dhe atij shqyrtimi i nevojiten paraqitje verbale, PSHDNJ mund të pranojë paraqitje të tilla verbale. Ankesat anonime do të refuzohen.

Pas shqyrtimit të ankesës, PSHDNJ i prezanton të gjeturat e veta, duke përfshirë rekomandimet e mundshme, tek Shefi i Misionit. Shefi i Misionit pastaj do të informojë Komandantin e operacioneve civile, shtetet anëtare si dhe shtetet e tjera kontribuuese.

PSHDNJ e informon ankuesin mbi atë nëse ky Panel ka gjetur se Misioni EULEX i ka shkelur të drejtat e njeriut të ankuesit. Paneli i ofron arsyet për të gjeturat e veta. Të gjeturat dhe rekomandimet e Panelit do të bëhen publike, përveç në ato raste kur publikimi i tyre mund të ketë ndikim mbi efektivitetin operativ të Misionit EULEX në Kosovë apo për sigurinë e personelit të Misionit.